Pashaqofte.
- Atidra
- Jan 16, 2021
- 2 min read
Përbërësit:
500 gr mish viçi i grirë
1 filxhan kafe oriz karolina
1 qepë
1 thelb hudhër
1 domate mesatare pa lëkurë
1 karrotë
1/2 tufë majdanoz
vaj ulliri
kripë
piper i zi
spec i kuq i ëmbël
1 vezë
1 limon
1 litër ujë të vluar
Miell për të lyer pashaqoftet
Në një tas hedhim mishin e grirë, orizin karolina, kripën, specin e kuq dhe piperin.
Në mikserin grirës hedhim qepën, karrotën, domaten, majdanozin, hudhrën, vajin dhe i grijmë shumë imët.
Masën e përftuar e shtojmë tek tasi me mishin grirë dhe fillojmë t'i përziejmë mirë. Ky është dhe proçesi sekret që qoftet e vogla mos të shpërbëhen. Pra duhet ta punojmë masën, për të paktën 5 minuta. E punojmë masën njësoj siç punojmë brumin normal. E mbështjellim me celofan dhe e vendosim në frigorifer për 1 orë, në mënyrë që aromat të ndërthuren më mirë me njëra-tjetrën.
Pas një ore, marrim masën e përgatitur dhe fillojmë të bëjmë qofte të vogla, sa një arrë dhe i kalojmë në pjatën në të cilën kemi hedhur pak miell. Sigurohemi që mielli të mbështjellë mirë qoftet. Paralelisht, në zjarrë, kemi vendosur një tenxhere me 1 litër ujë që vlon dhe një tigan me 2-3 lugë gjelle vaj ulliri që të skuqim pak qoftet (më tepër është për t'ju dhënë një ngjyrë të bukur). Kur të kemi gati mjaftueshëm qofte, sa të mund t'i nxërë tigani, fillojmë t'i skuqim nga të gjitha anët. I heqim dhe i hedhim tek tenxherja me ujin që vlon dhe vazhdojmë në këtë mënyrë deri sa të kemi mbaruar me të gjitha qoftet. Mirë është që tenxherja të jetë me kapak presioni pasi do t'ju kursej shumë kohë. I zjejmë në presion për 20-25 minuta dhe më pas u heqim kapakun dhe i zjejmë për 10 minuta të tjera pa kapak që supa të ajkoset mirë. Në këto 10 minuta shtojmë kripën dhe në fund vezën e rrahur me lëngun e limonit. Mos harroni të kontrolloni sasinë e kripës.
Nqs nuk keni tenxhere presioni, gatuajini në tenxhere normale për 1 ore e 10 minuta. Në kvto 10 minuta veprohet njësoj si më sipër.
Ju bëftë mirë!
P.S: Një këshillë. Në mënyrë që veza mos t'ju piqet kur ta hidhni në tenxhere( ngaqë është e nxehtë), në enën që jeni duke e rrahur me limonin, shtoni me kujdes dhe duke përzierë vazhdimisht, lëng nga tenxherja.

תגובות