Tartë me fruta
- Atidra
- Jan 13, 2021
- 2 min read
Updated: Jan 14, 2021
Përbërësit për bazën e tartës:
200 gr gjapl i ftohtë
100 gr sheqer pluhur
1 kokërr vezë
300 gr miell (1 filxhan + 1/3)
Përbërësit për kremin:
350 gr qumësht
150 gr pana
1 kokërr vezë
3 të verdha veze
80 gr sheqer (4 lugë gjelle)
40 gr miell (2 lugë gjelle)
2 vanilje pluhur
Si fillim, në një tas, përziejmë miellin me sheqerin pluhur. Më pas shtojmë vezën dhe gjalpin e ftohtë, të cilin e kemi prerë në kuba te vegjël. Zëmë brumin, mund të përdorim mikser ose duart (unë personalisht zbatoj metodën e dytë). Brumin e përftuar e mbështjellim me membranë kuzhine (celofan) dhe e vendosim në figorifer për të paktën 1 orë, mund ta lëmë deri në 24 orë.
Në një tenxhere hedhim qumështin së bashku me panën dhe e vendosim në zjarr. Njëkohësisht, në një tas të vogël, përziejmë vezën, të verdhat, miellin, sheqerin dhe vaniljet. Masën e përftuar e shtojmë tek qumështi dhe vazhdojmë përzierjen deri sa të mpikset dhe të marri trajtën e kremit. Fikim zjarrin dhe e lëmë të ftohet.
Marrim brumin dhe hapim me rrul (pec), në një trashësi 5 mm. E vendosim petën e hapur mbi tepsinë e tartës dhe i japim formën e tepsisë, duke ngjeshur lehtësisht. Heqim tepricat që dalin nga anët e tepsisë. Në mesin e tepsisë vendosim letër pjekje dhe mbi të hedhim 1 filxhan fasule, i hapim mirë. Kjo do të shërbeje si peshë, që brumi mos të fryhet gjatë pjekjes dhe të ngelet i papjekur. E pjekim ne furrë të ngrohur më parë në temperaturën 170 gradë celcius per 15 minuta. Më pas heqim letrën e pjekjes, së bashku me fasulet dhe vazhdojmë pjekjen për 15 minuta të tjera. E lëmë të ftohët dhe e heqim me shumë kujdes nga tepsia(që të mos na prishet forma). Vendosim kremin dhe e dekorojmë me fruta sipas dëshirës dhe fantazisë.
Për të ruajtur freskinë e frutave, por gjithashtu për t'i dhënë atë shkëlqimin që kanë përsipër tartat e pastiçerive, përdorim mjaltin. Ngrohim 2 lugë mjaltë në një çezve dhe me ndihmën e një peneli kuzhine, e vendosim mjaltin mbi futat e tartës.
Ju bëftë mirë!

Comments